RRETH KONTRIBUTIT TË GORANËVE NË LËVIZJEN KOMBËTARE SHQIPTARE



Shkruan: Nazif DOKLE

RRETH KONTRIBUTIT TË GORANËVE NË LËVIZJEN KOMBËTARE SHQIPTARE

Kontributin e goranëve në lëvizjen kombëtare shqiptare mund ta kërkojmë, gjejmë dhe motivojmë, vetëm në kuadrin e fatit të tyre të njëjtë historik me shqiptarët, që në fillim të shekullit të XIII-të deri më sot. Kjo rrethanë ka përcaktuar filozofinë e sjelljes së tyre historike, përkitazi, qëndrimin ndaj çështjes shqiptare. Historia e tyre nuk mund të shihet e shkëputur nga ajo e Kosovës, por vetëm si pjesë e saj, le t’i drejtohemi asaj.
1. Radhitjen e goranëve përkrah austriakëve e shqiptarëve në luftën austro-turke të vitit 1689-90, për këtë shkak dhe përndjekjen e tyre nga ana e turqve që çoi në zbrazjen e parë të Gorës, e dëshmojnë disa burime. Më tej, ata si luftëtarë të zotë, e përjetësuan emrin e bajrakut të tyre, Dollovishtin, si të parin midis bajraqeve të Lumës, Opojës dhe Ostrozupit.
Me shtrimin e çështjes kombëtare shqiptare, goranët identifikuan se hapësira e tyre jetike ishte në qendër të trojeve etnike shqiptare. Ajo nuk mund të mos përfshihej brenda njësisë politike shqiptare të çdo niveli apo forme qoftë. Ndërgjegjja e tyre nuk u ndërmjetësua prej asnjë lëvizjeje tjetër kombëtare që kishte të bënte me trungun nga ku qenë shkëputur.
Të paktën që nga Lidhja Shqiptare të Prizrenit, por edhe para saj, kur fillon historia moderne shqiptare, goranët janë pjesë aktive e kësaj historie e herë-herë me kontribute të spikatura. Ata dhe shqiptarët, luftuan bashkë për mbrojtjen e trojeve shqiptare të Prokupjes, Vranjës e Pirotit në dimrin e vitit 1877-78.
Tashmë janë të njohura lidhjet dhe bashkëpunimi i klerikëve myslimanë të shquar të Gorës, si Reshit efendia i Rapçës, mulla Dervishi i Baçkës, Abdylaziz efendia i Krushevës, mulla Shemsedini i Dikancës me Ymer Prizrenin, kreun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Të dhëna të tjera dëshmojnë se mulla Haxhi Mustafa dhe i biri i tij Ali Osmani, dikancas, qenë ata që u përkujdesën për jetën dhe veprimtarinë politike e arsimore të Ymer Prizrenit gjatë qëndrimit të tij në Ulqin, midis viteve 1881-1887. Dihet gjithashtu dhe pjesëmarrja e Mehmet Alisë së Pakishtit dhe Arif Krushës, si përfaqësues të Gorës në këtë Lidhje.
Nën udhëheqjen e këtyre apostujve të Ymer Prizrenit, goranët masivisht morën pjesë në luftimet e forcave të Lidhjes për mbrojtjen e trojeve shqiptare në Plavë e Guci, Shtimje, Slivovë etj. Këtë të vërtetë, mendojmë se e pasqyron kënga popullore gorane “Pana mëglla majçice vo poleto. Zhal mi pana, majçice vo sërceto. Qe gi beret, majçice përva kura. Përva kura, majçice nezheneti, sal Omerçe, majçice, ozheneto. … Qe gi noset, majçice, vo Karadak. Top ke puca, mjaçice ka gërmajca. Sabla seva, majçice ka vitrushka, krushmoj vërnet, majçice ka gradushka. Momci spijet, majçice ka jagënca.”
Të pandarë, shqiptarë e goranë, luftuan kundër serbëve në Qafën e Duhles, në atë të Glloboçicës në nëntorin e vitit 1912. Mbi bazën e besës së lidhur, goranët morën përgjegjësinë e sigurimit të krahëve për qëndresën e Kolosjanit dhe ndikuan drejtpërdrejt në fitoren tashmë legjendare kundër serbëve më 14-17 nëntor të atij viti. Krah shqiptarëve, ata u shquan dhe në luftën e Koritnikut të shtatorit të vitit 1913. Në këto përpjekje për jetë a vdekje, vetëm Gora e Kukësit dha 32 dëshmorë prej të cilëve 26 prej bajrakut të Topojanit. Gjithashtu, për këtë shkak, kjo zonë përjetoi masakrat nga më të rrallat në histori kur qindra burra, pleq, gra e fëmijë, u kaluan në plumba dhe bajoneta.
Qazim Lika prej Vasijesh të kalasë së Dodës, luftëtar, patriot dhe komandant me zë, dy herë është përcjellë prej brodasve deri në spitalet e Selanikut. Është pak humanizëm të kryhej kjo vepër. Me siguri ka të tjera motive e ideale. Kjo nuk ishte rastësi, sikundër që nuk është rastësi që ai veproi me Halil Danën e Rapçës për organizimin e rezistencës antiserbe në Gorë (1912) dhe për të udhëhequr Luftën e Koritnikut, ku u derdh dhe gjaku i goranëve. Të gjithë e dimë, se këtu nuk u luftua për Gorën, por për Kosovën
Na duhet ta theksojmë meritën e madhe të klerikëve myslimanë, nxënës besnikë të plejadës së lavdishme të brezit të pasuesve të Ymer Prizrenit, si mulla Rasim Zapodi, mulla Isufi i Borjes, mulla Islami i Novosejit, mulla Beqiri i Orgjostit, mulla Murtishi i Brekijës, mulla Qamili i Shishtavecit, të cilët ditën t’i orientojnë drejt në krah të shqiptarizmit xhematët e tyre në momentin më delikat, jo vetëm të historisë lokale, por edhe të asaj kombëtare.
I kam në dorë faksimilet e firmave të kryepleqve të Opojës dhe Gorës, që i dhanë mandatin mulla Rasim Zapodit për të bërë përçapjet e nevojshme politike e diplomatike pranë komisionit ndërkombëtar për caktimin e kufijve në vitin 1922, 23, qeverisë shqiptare etj., që Gora dhe Opoja të përfshiheshin brenda kufirit të shtetit shqiptar.
Islam Spahia, Hoxhë Mehmeti i Shtiqnit, Elez Isufi i Dibrës, janë atdhetarë me zë në të gjithë Shqipërinë. Po mos të kishim në dorë letërkëmbimin, si vështirë do të besonim konsulencën e mulla Rasim Zapodit me ta. Po të mos ishte ditari i Mulla Isufit të Borjes, do ta kishim të vështirë ta përfytyronim veprimtarinë intensive të klerikëve myslimanë të Gorës (1912-1913) për çështjen shqiptare. Disa herë ndërhynë pranë Komisionit ndërkombëtar të kufijve. Edhe në saje të tyre, u arrit që kufiri të shtyhet aty ku është ende sot. Janë të njohura lidhjet e Islam Spahisë me Arif Krushën dhe qehallarët e fuqishëm të Brodit, sikundër që nuk është rastësi bashkëpunimi i Halil Danit me Mati Logorecin e Luigj Gurakuqin për hapjen e shkollave shqipe në Gorë në kohën e pushtimit austrohungarez (1916-17). Me shumë interes janë lidhjet e Bajram Currit me goranët në kryeqytetin austriak, interesimi i tij dhe i Hasan Prishtinës për këtë zonë gjatë përcaktimit të kufirit nga Komisioni ndërkombëtar në vitet 1922-23.
Në këtë logjikë na duket se është edhe pjesëmarrja e Eshref Krushës, djalit të Arif Krushës në Lidhjen e Dytë Shqiptare të Prizrenit të vitit 1943, apo radhitja e Nail Brodit në çetën partizane të Lumës dhe mbi 400 goranëve në radhët e formacioneve më të mëdha partizane të këtij regjioni.
2. Gora ka qenë prapavijë e sigurt e lëvizjeve kombëtare shqiptare. Punishtet e saj kanë plotësuar një pjesë të mirë të nevojave të saj për armë, municion e barut.
Lukë Bogdani, në poezinë kushtuar Pjetër Bogdanit, botuar në veprën Çeta e profetëve” në vitin 1685, goranët i dëshmon si mjeshtër të shpatave damaskine. Ai mes tjerash thotë: “Prisren he çelepij, gjithë ndë armë mbukuruem, prej Gore dimisqij, trima të fortë për me luftuem.”
Në shekullin e XVIII-të, shumë syresh bëjnë pjesë në esnafin e Prizrenit për prodhimin e armëve dhe barutit. Në një këngë popullore shqiptare, kemi hasë edhe në këto vargje: “Çova qarqet te gorani, epu ujë, i kam për shpirt. Mos me m’ ndez te shatërvani, hall lokja s’mi ban gjitë.” Në Lumë, Has, Malëzi, ende mund ta ndeshësh emërtimin “pushkë goranesha” apo “Pushkët i ndreqshëm në torbeshi.”
Kjo zeje në fshatrat Borje, Oreshkë, Cërnelevë, Pakisht, Shishtavec, Krushevë, Zlipotok, Rapçë, Baçkë, Orgjost e Vranisht, është ushtruar deri në fillim të shekullit të XX-të, madje në disa vende, si në Rapçë është shtyrë deri në Luftën e Dytë Botërore. Si dëshmi, kemi takuar veteranë të Luftës Nacionalçlirimtare, që tregojnë se si kishin riparuar armë në Rapçë. Në disa prej këtyre fshatrave ka pasur binga baruti. Edhe sot e kësaj dite në Borje, Pakisht etj, gjinden gjurmë lajthishtash të zhdukura, për shkak të përdorimit intensiv të drurit të tyre për qymyr, lëndë e parë për prodhimin e barutit. Në Borje, një vëllazëri mban emrin Barutovci. Toponimet: Topillo, Topivce, Topilica në Borje, Cërrnelevë dhe Orgjost, kanë shënuar shkritoret ku prodhoheshin plumba.
Akoma kujtesa popullore sjell e lakon me krenari emrat e armëtarëve në zë si: Halit Kashta i Shishtavecit, Purava i Pakishtit, Usta Xhimshiti i Rapçës etj. I gjithë ky prodhim, nuk kishte destinacion tjetër pos nevojave për armë e municion të luftëtarëve në qëndresat e tyre antiosmane e antiserbe. Bazat e kaçakëve antiserbë si Baftjar Kollovozi, Azem Hajrullahi, kanë qenë në Borje, Cërnelevë, Orgjost, Oçikël, Zapod etj.
3. Goranët shquhen si qytetarë paqësorë, të bindur ndaj rregullit shoqëror, që adhurojnë kultin e punës. Në rrjedhat e kohës janë shquar si blegtorë, armëtarë e ëmbëltorë. Në këto veprimtari jetike, spikat bashkëpunimi i pronarëve të Lumës Gorës dhe Opojës në fushën e mbarështimit të deles e të tregjeve të produkteve blegtorale. Krijohen lidhje familjare me zonat fushore, që vazhdojnë të rezonojnë akoma edhe kësaj dite. Shumë goranë kurbetçi e qiraxhi, për breza të tërë, kanë gjetur strehën, bukën, kujdesin, madje edhe mbrojtjen e shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Në një farë mënyre, këto kontribute i kanë ndihmuar tërthorazi dhe çështjes shqiptare, kahes së prosperimit.
Pa përmendur punën në fusha të tilla të veprimtarisë si mjekësia, arsimi, zejtaria, ushqimi social, sporti e kultura, ku goranët janë shquar në të dy anët e kufirit, po përmendim vetëm disa kontribute të shkallës kombëtare shqiptare. Mjeshtrit e mundjes së lirë, i pamposhturi Rrahim Meçka, i mbiquajtur Zhaponi, Nuhi Murseli e Lutfi Meçka nga Pakishti, Neshat Aledini prej Orgjosti etj, më se njëherë kanë përfaqësuar ngjyrat e sportit shqiptar. Shqipërinë e ka përfaqësuar grupi i valltarëve të Shishtavecit në festivalin botëror të Rinisë në Moskë në vitin 1957. Ekipi i skiatorëve të Moravës së Shishtavecit, disa herë kampion kombëtar ose fitues i vendeve të nderit në kampionatet kombëtare të rrëshqitjes me ski, i ka dhënë tonin këtij sporti në vitet 50-të dhe 60-të. Safet Hoxha i Pakishtit, njëri prej autoriteteve më në zë të gjuhësisë shqiptare, themelues i katedrës së parë të Ballkanologjisë në Shqipëri, ka dhënë kontribut parësor dhe të pazëvendësueshëm me studimet e tij për rolin dhënës të shqipes në gjuhët sllave të Ballkanit.
4. Kur flasim për kontributin e goranëve për çështjen shqiptare, nuk mund të anashkalojmë krizën e fundit, zgjidhja e së cilës i hapi rrugë pavarësisë së Kosovës. Pa u ndalur gjatë, për shkak të kohës dhe të nevojës së qëmtimit më të detajuar, po përmendim shkarazi vetëm disa momente. Në marsin e vitit 1999, shtëpitë e goranëve, ashtu sikundër e gjithë qytetarëve të Kukësit, u hapën për kosovarët e dëbuar me dhunë nga ana e ushtrisë serbe. Kemi të dhëna për lëvizje të iniciuar nga hoxhallarët e disa fshatrave të Gorës, për përkujdesje të pronës së braktisur të shqiptarëve të dëbuar nga ushtria serbe. Në Krushevë dhe Restelicë etj, ka pasur organizime njësitesh të armatosura për t’u mbrojtur nga forcat paramilitare serbe.
Borjani Namik Dokle, për shumë kohë ka kryesuar delegacionin shqiptar pranë Komisionit të Jashtëm të BE-s, Sadik Idrizi, ministër i Ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, është i përfshirë në delegacionin kosovar në bisedimet Prishtinë-Beograd për decentralizimin. Nuk mund të harrojmë ndihmesën e madhe e të pazëvendësueshme të gazetës “Kosovski avaz” dhe pasuesja e saj “Alem” drejtues i të cilave ka qenë dhe është, publicisti restelicas Mustafa Bale.
5. Në vend të subjektivitetit dhe patetikës së tejkaluar patriotike për njësinë e kulturave dhe prehistorisë së Gorës, Lumës dhe Opojës, pa përjashtuar dhëniet e marrjet e ndërsjella, është koha të krijohen hapësira për identifikimin, ushtrimin, bashkëjetesën e bashkëpunimin e tyre në shërbim të pavarësisë së Kosovës dhe shtetit demokratik e modern të Kosovës. Njësia e opojanëve, e goranëve dhe lumjanëve, qëndron në fatin e tyre të njëjtë historik, fqinjësinë dhe mirëkuptimin disa shekullor, në faktin se kanë një atdhe të përbashkët, në detyrimet ndaj tij, në fenë e tyre të përbashkët. Diversiteti kulturor dhe etnik i tyre, nuk e cenon aspak këtë njësi. Na duken pa bazë përpjekjet për ta mohuar këtë devirsitet, duke përdorur si argument kontributin e goranëve në çështjes shqiptare. Tjetër gjë është orientimi politik, e tjetër thelbi etnik. Dihet kontributi i arvanitasve në revolucionin grek, ai i arbëreshëve në lëvizjen garibaldiane në Itali, e më afër ai i shqiptarëve për çështjen kroate apo atë boshnjake, megjithatë kontribuuesit mbeten e krenohen se janë arvanitas, arbëreshë apo shqiptarë.
Nuk besoj se klerikët myslimanë të Gorës, Opojës e Lumës, shumë syresh patriotë në zë, nuk dinin se cilit etnitet i përkisnin, që asnjëherë nuk i provokuan xhematët e tyre në këto tela, për t’i lënë udhë devizës: ”kush punon për fe, lufton për atdhe.”, diversiteteve etnike e kulturore dhe gjuhës universale të Zotit.
Le ta bëjmë këtë edhe ne.
28 maj 2006.

Nga: Bedri Halimi