LUFTËTARË NGA TREVA E GORËS
DAJLAN XHEMË BASHA (1856-1913)
U lind në fshatin Shishtavec në vitin 1856, në një familje të varfër. Familja e tij dhe vetë Dajlani, gjithë jetën është marrë me bujqësi dhe blegtori, si të vetmet burime të jetës së tyre.
Pas caktimit të kufijve në vitin 1913, Dajlani duke parë se tokat tona mbetën nën sundimin e Serbisë dhe me thirrjen që i bënë për luftë kundër tyre, ai u tregua i pari dhe i gatshëm për të luftuar deri në vdekje. Së bashku edhe me Murat Muratin dhe Rrahman Muratin dhe përkrah luftëtarëve të tjerë popullor nga Topojani, Brekija, Kollovozi dhe Novoseji, ai luftoi me trimëri dhe ra në luftën e Koritnikut më 20 shtator 1913. Ai u varros atje dhe eshtrat e tij edhe sot ndodhen larg vendlindjes.
Kur mori vesh gruaja dhe nëna e tij, nuk i besuan lajmit të zi. Gruaja vetë për ta vërtetuar shkoi në vendin ku ishte varrosur. Duke zbuluar kufomat e të vrarëve, dalloi cepin e xhamadanit të tij të qëndisur me gajtan e sumbulla dhe e lemerisur u kthye në fshat. Mortin për Dajlanin e bënë në heshtje nga frika e serbëve, që kontrollonin çdo shtëpi e oborr si ujqërit e plagosur. Dajlan Basha, është cilësuar “Dëshmor atdhetar i vjetër” në vitin 1985.
MURAT ADEM MURATI (1883-1913)
I lindur në fshatin Shishtavec në vitin 1883 në një familje të varfër fshatare, që merrej me blegtori. Babai i tij, Ademi, në kohën e perandorisë turke, u dërgua nizam në Irak për llogari të Turqisë.
Murati është marrë me blegtori që në moshën 10 vjeçare, ku njohu mirë vuajtjen e skamjen, duke shtegtuar delet në Kosovë dhe Selanik. Kishte një urrejtje të madhe ndaj serbëve dhe në një përpjekje me ta në Përroin e Glloboçicës, ka plagosur tre prej ushtarëve serbë dhe është larguar në drejtim të Shishtavecit.
Në shtator të vitit 1913, me thirrjen e parë që iu bë atij, bashkë me kushëririn Rrahmanin, morëm pjesë në luftën e Koritnikut. Ata u bashkuan me luftëtarët dhe vëllezërit e tjerë shqiptarë në luftën kundër serbëve.
Në luftën e ashpër, ai plagoset rëndë dhe transportohet fshehurazi me një mushkë për në shtëpi. Nga plagët e rënda që merr në trup, Murati vdes pas disa ditësh. Varrimi i tij u bë në fshat, por natën dhe në fshehtësi të madhe.
Trupin e tij të vdekur e mbuluan me një tërlik (veshje gruaje), për të treguar se kishte vdekur një plakë, pasi ushtarët serbë kontrollonin me egërsi çdo lëvizje të dyshimtë. Murat Murati, është cilësuar “Dëshmor atdhetar i vjetër” në vitin 1985.
RRAHMAN ALI MURATI (1870-1918)
Rrahmani u lind më 10 mars 1870 në Shishtavec. Rrjedh nga një familje e varfër fshatare dhe është marrë vazhdimisht me bujqësi e blegtori. Rrahmani është ushqyer vazhdimisht me ndjenja patriotike dhe atdhedashurie. Gjithnjë ka shprehur urrejtje kundër pushtuesve serbë. Urrejtja iu shtua edhe më tepër pas vrasjes së kushëririt të tij, Muratit, nga gjakatarët serbë në vitin 1913. Mori pjesë në luftën e Koritnikut dhe thuhet se me dorën e tij ka vrarë disa ushtarë dhe oficerë serbë.
Në vitin 1917, në kohën e Austrisë, është arrestuar dhe është dërguar në një burg të Vjenës. Me guxim është arratisur duke thyer burgun me një sëpatë që iu gjend në dorë, sëpatë, të cilën e solli në shtëpi si provë e largimit nga burgu. Pas kësaj kohe, ai ndiqej nga qeveria serbe si njeri me rrezikshmëri të madhe.
Për këto arsye, ai doli kaçak në mal dhe fshihej nga njerëzit e tij të besuar. Por një ditë dhe pikërisht ditën e shënuar të Shëngjergjit, ai erdhi në fshat për të festuar me familjen e tij. Por nga dikush u spiunua dhe shtëpia e tij u rrethua në lagjen e poshtme të fshatit. Pas një përpjekje prej tri orësh, Rrahmani mbeti i vrarë më 15 tetor 1918.
Trupin e tij e ngarkuan në një kalë dhe e dërguan në qendër të komunës në Vranisht (Gorë-Kosovë) dhe pasi ia prenë kokën, e varrosën aty (Vranisht). Rrahman Murati, është cilësuar “Dëshmor atdhetar i vjetër” në vitin 1985.
Në tetorin e vitit 1913, si kundërpeshë e qëndresës luftarake të malësorëve dhe në luftërat e njëpasnjëshme, në humbjet që i shkaktuan shqiptarët armikut serb, në shenjë hakmarrje krajli dërgoi disa ekspedita ndëshkimore për të masakruar, plaçkitur dhe djegur në fshatrat e Gorës, Topojanit dhe të Lumës. Në ato ditë vjeshte të atij viti të zi u bënë masakra të pashembullta, sidomos në Topojan, Brekijë e Nimçë. Në Topojan u pushkatuan 400 banorë të pafajshëm, ndërsa në Brekijë, serbët pushkatuan 120 burra. Edhe në Nimçë u pushkatuan 80 burra. Varret e tyre janë dëshmi e gjallë e këtyre masakrave të papara e makabre.
Në masakrën e Topojanit, mundën të shpëtonin jetën pak njerëz. Njëri prej tyre ishte Rrahman Tahiri, i cili u plagos në fytyrë, por mbijetoi. I mbijetuari, më vonë erdhi dhe jetoi familjarisht në Shishtavec deri sa vdiq. Ai tregonte me dhembje për atë çmenduri serbe dhe për gjithçka ndodhi në vitin 1913.
QAMIL MEHMET BEQA (1864-1924)
U lind në Shishtavec, në vitin 1864 në një familje patriotike që vazhdimisht ka shprehur dashuri për atdheun dhe vendlindjen. Në kohën e Serbisë ka qenë presednik (kryetar) i Gorës me qendër në Vranisht.
Njeri me autoritet të padiskutueshëm në fshat dhe në krahinë. Në vitin 1914, merr pjesë aktive në çështjen e kufijve, së bashku me mulla Islam Hoxhën e Novosejit dhe me mulla Mevlan Hoxhën e Shishtavecit. Me iniciativën e Qamil Beqës, përpilohet një dokument (kërkesë) me shkrim, drejtuar Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve. Dokumenti shkruhet në shtëpinë e Jashar Kingjit nga Emërlla Isa Beqa.
Qamil Beqa i ka urryer gjithmonë serbët dhe ka qenë gjithnjë kundër tyre. Edhe në vitin 1918, edhe në vitin 1921, ka shprehur idenë se Shishtaveci dhe fshatrat përreth të mbeten brenda kufijve të Shqipërisë, ashtu sikurse edhe mbetën në vitin 1923.
Ka ndërmarrë nisma të dobishme për fshatin e tij. Ka hapur e zgjeruar tri rrugë kryesore të fshatit, sa për të kaluar karroca dhe që lidhnin fshatin Novosej, Krushë dhe Restelicë. Gjithashtu, ka sjellë ujin e pijshëm nga Janishallëku në fshat etj.
Qamili ka qenë njëri i mençur dhe ka ditur të ndajë muhabet me burrat e kuvendit. Ka qenë burrë “me peshë të madhe” në Gorë dhe në Lumë. Kur mori vesh Islam Spahia për vdekjen e Qamil Beqës u shpreh: “Tani paska vdekë gjithë Gora”. Me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, është dekoruar me medaljen “Për veprimtari patriotike” në shërbim të Atdheut.
MAKSUT REXHEP FETISHI 1922-1944
Dëshmori Maksut Rexhep Fetishi lindi në fshatin Shishtavec në vitin 1922. Si gjithë banorët e këtyre anëve, familja e tij u shpërngul në Tiranë, në kërkim të një jete më të mirë. Atë kohë ai ishte vetëm tre vjeç. Maksuti mbeti jetim që i vogël edhe nga babai edhe nga nëna dhe kështu që u rrit nën kujdestarinë e të afërmve, veçanërisht xhaxhait të tij, Ramadanit.
Që në moshë të re, Maksuti provoi punë shumë të rënda si lustraxhi, hamall, gazetashitës, kuzhinier etj. Në vitet 1942-1943, me ndërhyrjen e shokëve filloi punë pranë komandës së Xhandarmërisë në qytetin e Tiranës si kuzhinier. Shokët e njësitit gueril, duke parë tek ai besnikëri dhe karakter të lartë e ngarkonin me detyra të rëndësishme dhe të vështira që ndihmonin LNÇ. Kur u pa se qëndrimi i tij në atë punë ishte me rrezik, më 1944 inkuadrohet drejtpërdrejt në formacionet partizane e konkretisht në Brigadën e Parë Sulmuese në batalionin e pestë.
Luftoi heroikisht në çlirimin e Tiranës dhe pranë Burgut të ri në përleshje me armikun ra dëshmor i atdheut në datën 14 nëntor 1944, tre ditë para ardhjes së lirisë në kryeqytet.
Komandanti i Brigadës së Parë Sulmuese, Mehmet Shehu për aktin e heroizmint të Maksut Rexhep Fetishit nënvizon: “Në pozitat tona tek Burgu i ri është plagosur një partizan, Maksut Rexhepi nga Luma, i cili qëllon me antitank pareshtur në drejtim të pozicioneve te armikut, për të lehtësuar tërheqjen e shokut të plagosur. Në këtë kohë arrijnë 8 tanke armike për t’u çelur rrugën gjermaneve të rrethuar. Detyra e Maksutit në këtë rast është e rëndë. Skuadra krejt po rrethohet. Maksuti me antitank qëllon pareshtur kundër armikut dhe e lehtëson kalimin e skuadrës partizane por, ky gjest i kushton jetën. Duke kaluar shokët e fundit, Maksuti vritet nga tanket gjermane…”
Dëshmori i atdheut ka lënë një ditar me shënime, të cilin e mbajti në zjarrin e luftës në gjendje të copëtuar dhe një kravatë të zhubravitur. Këto relikte ruhen në shtëpinë e Ramadan Fetishit në Tiranë.
IBRAHIM SHAHIN LLESHI 1916-1945
Ibrahim Lleshi lindi në Shishtavec, në vitin 1916. Babai i tij ishte kurbetçi dhe i rriti me shumë mundim fëmijët, duke bredhur nëpër Ballkan dhe Egjipt për një copë bukë. Pa i mbushur ende 12 vjet, Ibrahimi mbeti jetim duke i rënë një barrë e rendë mbi supe. Bashkë me të vëllanë, Ahmetin hapën një dyqan në Fier ku shisnin hallva, sheqerka dhe ëmbëlsira të ndryshme. Në vitin 1937 duke qenë se tregtia nuk pati sukses u kthye në fshat. Deri ne vitin 1941 ai punon dhe jeton në fshat si bujk dhe marangoz. Iku prapë në kërkim të përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe pajtohet në Tiranë si shegert pranë një familje të pasur. Kështu i pastabilizuar ai punon këtë kohë edhe në Vlorë, Fier, Lushnjë etj. për t’u kthyer përsëri në fshat i zhgënjyer.
Në vitin 1944, LNÇ ishte zgjeruar dhe aksionet e suksesshme të Brigadës 24 dhe të 5-të ngjallën shpresën për banorët se do të lind një jetë e re pas dëbimit të pushtuesve. Ibrahim Lleshi u inkuadrua në radhët e Brigadës 24 Sulmuese për kompaninë e parë të batalionit të tretë.
Mori pjesë në aksionin e kësaj brigade kundër autokolonës gjermane në Kullën e Lumës, në segmentin rrugor Kukës-Prizren. Gjithashtu ishte pjesëmarrës në betejën e ashpër për çlirimin e Tiranës dhe rrethinave të saj, në luftën e Bërdicës në Shkodër dhe në Malësinë e Madhe, kundër forcave reaksionare të Llesh Marashit dhe Prenk Calit. Ibrahim Lleshi luftoi heroikisht edhe në Nikaj Mertur në Malësinë e Tropojës dhe në territoret shqiptare në Kosovë dhe më tej. Ai këtu plagoset dhe në marshim e sipër, keqësohet nga humbja e gjakut dhe bie pa ndjenja. U dërgua në spitalin e Gjakovës së çliruar dhe më 25 mars të vitit 1945 vdes, duke mbetur përgjithmonë në kujtesën e të gjithëve si një luftëtar i devotshëm dhe patriot i vendosur.
FETISH ASLLAN BEQA 1922-1946
Lindi në fshatin Shishtavec dhe në vitin 1932 mbaroi shkollën fillore. Duke qenë se familja e tij ishte e këputur ekonomikisht, nuk mundi ta vazhdojë arsimimin më tej. Që në moshë të re mori rrugën e kurbetit dhe bashkë me vëllezërit Shehapin dhe Jasharin u vendosën në qytetin e vogël të Rroskovecit, duke sajuar një dyqan te vogël. Shpejt ky dyqan i thjeshtë u shndërrua në çerdhe të antifashistëve. Kështu dyqani i vogël i gegës – siç e quanin, u bë bazë e ilegalëve. Nëpër arkat e sheqerkave, Fetishi shpërndante nëpër fshatra komunikatat, traktatet dhe materialet e tjera të PKSH-së.
Spiunët dhe pushtuesit, kishin kohë që e kontrollonin veprimtarinë e tij, por Fetishi me zgjuarsinë e tij, diti të shpëtojë nga kurthet dhe rreziqet.
Pas disa viteve punë, Fetishi iku nga Rroskoveci për t’u kthyer në fshatin e tij të lindjes. Dhe në mbledhjen e parë të rinisë komuniste në fshat, Fetishi ishte nga 14 vullnetarët e Shishtavecit që u inkuadrua si partizan në Brigadën e 24-të Sulmuese, si korrier i batalionit të 3-të.
Mori pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës, të Shkodrës dhe vijoi luftimet bashkë me shokët në Malësinë e Madhe, Tropojë e deri në Gjakovë.
Pas çlirimit të atdheut, Fetishi kalon në repartet e ndjekjes të MPB për asgjësimin e bandave kriminale dhe diverzioniste.
Në pranverën e vitit 1946 në fshatin Çarçovë të Permetit ishte dislokuar reparti ku bënte pjesë Fetish Beqa. Kur po dorëzonte shërbimin gjatë natës, dalloi dy hije të dyshimta që dilnin nga çadra e komisarit. Futet shpejt në çadër, kontrollon shpejt dhe gjen një minë poshtë krevatit të eprorit të vet. E merr atë dhe duke dalë nga çadra për ta hedhur atë i shpërthen në dorë dhe Fetishi mbetet i vrarë. Akti heroik u vlerësua shumë. Edhe sot e kësaj dite, Fetish Beqa, eshtrat i ka në vendin ku ka rënë si dëshmi e trimërisë dhe aktit të tij sublim.
Brigada e 24-të Sulmuese e Kukësit shkroi në altarin e nderit, si brenda dhe jashtë atdheut 36 dëshmorë, ndërsa Kukësi u çlirua më 18 nëntor 1944. Çlirimi i Shkodrës, i cili shënoi edhe çlirimin e gjithë Shqipërisë u arrit më 29 nëntor 1944.
Shishtaveci si i gjithë vendi, pësoi humbje të madhe në luftë. Ai i dha atdheut 3 dëshmorë lirie dhe një viktimë, si dhe humbje të mëdha në bujqësi dhe blegtori. Shishtaveci dha një ndihmesë të madhe, pasi strehoi dhe mbajti me bukë partizanët e dy Brigadave (Brigadën e 5-të dhe Brigadën Maqedonase). Duke dëshmuar se qe i lidhur totalisht me luftën. Çdo shtëpi u bë bazë e LNÇ-së dhe kështu populli e fitoi lirinë e shumëpritur.
LNÇ-ja ishte një luftë e drejtë qytetare, një revolucion popullor i cili u organizua dhe u udhëhoq nga Fronti Nacionalçlirimtar dhe ideologjia kombëtare, si dhe nga idetë e çlirimit të vendit. Ajo kishte si qëllim dëbimin e pushtuesve nga vendi, çlirimin e atdheut, rivendosjen e pavarësisë së humbur kombëtare si dhe ndërtimin e Shqipërisë së re demokratike. Për këtë luftuan dhe dhanë jetën bijtë më të mirë të popullit shqiptar.
LANÇ e popullit shqiptar ishte pjesë përbërëse e luftës antifashiste botërore. Shqipëria që në fillim u radhit në anën e koalicionit Antifashist botëror, që kishte në ballë tri fuqi të mëdha aleate, Bashkimin Sovjetik, SHBA dhe Anglinë.
Në përfundimin e luftës, vendi ynë u radhit me fitimtarët, përkrah aleatëve të mëdhenj dhe vendeve tjera pjesëtare të koalicionit antifashist, krenar për ndihmesën e dhënë në kauzën e përbashkët të popujve për shkatërrimin e fashizmit.
Ja pse edhe populli i Gorës dhe Shishtavecit, u orientua drejtë dhe dha kontributin e tij në këtë luftë.
Nga Zenulla BALA
Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. Ut elit tellus, luctus nec ullamcorper mattis, pulvinar dapibus leo.