POPULLATA E GORËS NË VAZHDIMËSI E KA NDIHMUAR LËVIZJEN KOMBËTARE SHQIPTARE
Kur vendosëm që të mbanim orë letrare në komunën e Shishtavecit, pos tjerash pata potencuar se, arsyeja e përcaktimit tonë për të mbajtur manifestim kulturor te Ju, është në shenjë respekti dhe nderimi për popullatën e krahinës së Gorës në pjesën brenda kufirit politik të shtetit shqiptar, për qëndrimin konstruktiv, ndihmesën në strehimin e popullatës së Kosovës në përgjithësi dhe krahinës së Opojës në veçanti gjatë kohës së luftës në Kosovë. Popullata e Opojës nuk mund ta harroj ndihmesën dhe zemërgjerësinë e treguar të banorëve të të gjitha fshatrave të Lumës e Gorës, ku bën pjesë edhe komuna e Shishtavecit. Dhe nuk kishte se si të ishte ndryshe. Shishtaveci dhe e tërë Gora zemërgjerësinë, bujarinë, mikpritjen e ka pasur traditë shpirtërore e historike. Gora përgjithësisht në te dy anët e kufirit, dhe Shishtaveci vecanërisht gjatë periudhave të ndryshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare kanë dhënë kontribut të cmuar. Gjatë periudhave të ndryshme të çlirimit kombëtar, krahas luftëtarëve të krahinave të Kosovës, të Lumës, qysh në betejat e zhvilluara prej Prekuples deri në Nish, morën pjesë edhe luftëtarët e krahinave të Gorës dhe të Opojës, të cilët udhëhiqeshin nga Mulla Arif Krusha, ish-bajraktari i Gorës dhe Mehmet Alia prijës popullor nga Pakishti. Edhe me rastin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krahina e Gorës u përfaqësua nga delegatët e saj, siç ishin Mehmet Alia nga Pakishti dhe mulla Arif Krusha nga Krusha dhe ish-bajraktari i krahinës së Gorës.
Masakrat serbe ndaj popullates së Gorës
Gjatë viteve 1912-1913 si në shumë vende të masakrave serbe në Lumë (në Shullan, në Topojan, në Ceren, në Bushtricë, në Palush, në Gjegje, në Matranxh, në Vasije, në Barruc, në Gjabër, në Drazh, në Gjin, në Kalis, në Lusën, në Vilë, në Ujmisht, në Xhafere, në Brekijë, në Lojme, në Nimçë, në Përbreg, në Surroj, në Bardhoc, në Sulaj (Sumaj), në Arrëzë etj), e Opojë (në Brrut, në Bellobrad, në Bresanë, në Rrenc, në Zym, në Bellobrad, në Pllavë etj.), masakra ndodhën edhe në Gorë ndaj popullatës së Gorës. Gjatë vitit 1913 në fshatin Restelicë, janë vrarë 13 banorë të këtij fshati, ku në kujtesë kanë mbetur disa emra si: Muhamet dhe Alia Aljabak, Rrahman Ese, Mustafa Bajro, Maksut Shiko. Mulla Veseli ka qenë i plagosur dhe ka kërkuar ujë. Kur e dëgjoi ushtari serb u kthye dhe ja preu hundën me shpatë dhe pastaj ja nxori sytë, duke e masakruar. Ky njeri ashtu i masakruar ka jetuar deri në pleqëri të thellë dhe me shkop në dorë pesë herë në ditë ka shkuar nga shtëpia deri te xhamia e fshatit. Në fshatin Krushevë janë vrarë 9 anëtarë të familjes Gazi (mulla Arif Krusha), ku ka pasur edhe fëmijë të moshës së mitur. Pastaj masakra u bënë edhe ndaj familjes së Haxhi Ibrahimit nga Krusheva. Përpos Haxhi Ibrahimit edhe “tetë anëtarë prej të cilëve 3 gra dhe 1 fëmijë 1 vjeç, 2 vajza 4 vjeçe dhe 1 vajzë 6 vjeçare janë vrarë nga soldateska serbe. Në Brod, në vendin e quajtur Zdrazhejec është bërë masakra me ç’rast janë likuiduar në mënyrë mizore dhjetëra banorë vendas. Krimet serbe kanë ndodhur edhe në fshatrat tjera të Gorës, sikurse në Vranisht, Radeshë, Glloboqicë, etj. Në Vranisht janë vrarë Haxhi Ridvani dhe djali i tij Haxhi Arifi, Mulla Sezairi dhe i ashtuquajturi Hasani nga Dikanca. Të gjithë kanë qenë të varrosur në dy gropa në vendin e quajtur Kika. Në Glloboqicë është vrarë imami i fshatit Mulla Karimani. Autori serb Petar Kostiqi shkruan se në rrugën e goranëve në Prizren më 1917 u vendosën krejt refugjatët nga Gora dhe nga uria e madhe të gjithë vdiqën. Pjesa më e madhe e të shpëtuarve, vazhduan rrugën për në Turqi. Atëherë shumë fshatra të Gorës u shfarosën. Sipas regjistrimit të vitit 1913 në pjesën kosovare të Gorës kanë jetuar 12.331 banorë, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 1921 kishin mbetur vetëm 7177 banorë. Pra numri i banorëve ishte zvogëluar dukshëm në fshatrat Brod, Restelicë, Zlipotok, Krushe, dhe Rapqë. Në asnjë nga këto fshatra të Gorës, në vitin 1921 nuk ka pasur më shumë banorë në krahasim me vitin 1913.
Veprimtarët e çështjes kombëtare nga Gora
Por nga Gora kanë dalë burra të shquar, të cilët janë shquar si patriotë, luftëtarë dhe udhëheqës popullor, siç kanë qenë Mehmet Alia, Dervish Ajeti, Rasim Selman Zapodi, Musa Mangaj, Qerim Krasniqi, Qamil Dauti, Hazir Shllaku, Mustafë Shllaku, Jonuz Etemi, Mulla Arif Krusha, Mulla Qamil Beqa, Mulla Isuf Borja, Myrteza Qeliku, Abdullah Hoxha, Enver Haxhi, Ymer Mataj, Hamdi Pelivani, Xhafer Ollomani, Zurap Bajraktari, Maksut Rexhepi, Safet Hoxha, Mustafë Mustafa, Rifat Shllaku, Isak Qazimi, Mexhid Krasniqi, Ymer Shllaku, Shani Mangaj, Zejbek Manga dhe dhjetëra të tjerë, të cilët kanë dalë nga gjiri i popullit të 27 fshatrave të krahinës së Gorës. Duhet ta theksojmë meritën e madhe të klerikëve myslimanë, nxënës besnikë të plejadës së lavdishme të brezit të pasuesve të Ymer Prizrenit, si mulla Rasim Zapodi, mulla Isufi i Borjes, mulla Islami i Novosejit, mulla Beqiri i Orgjostit, mulla Murtishi i Brekijës, mulla Qamili i Shishtavecit, të cilët ditën t’i orientojnë drejt në krah të shqiptarizmit xhematët e tyre në momentin më delikat, jo vetëm të historisë lokale, por edhe të asaj kombëtare. Në këtë logjikë është edhe pjesëmarrja e Eshref Krushës, djalit të Arif Krushës në Lidhjen e Dytë të Prizrenit të vitit 1943, apo radhitja e Nail Brodit në çetën partizane të Lumës dhe mbi 400 goranëve në radhët e formacioneve më të mëdha partizane të këtij regjioni. Bazat e kaçakëve antiserbë si Baftjar Kollovozi, Azem Hajrullahi, kanë qenë në Borje, Cërnelevë, Orgjost, Oçikël, Zapod etj. Nail Hyseni – Dana nga Rapqa, është njëra ndër figurat emblematike të Gorës. Më 1912, kthehet në vendlindje si aktivist i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar, si bashkëveprimtar i Hasan Prishtinës, u angazhua për organizimin e kryengritjes së gjithë popullsisë. Ai udhëhoqi një njësi të vullnetarëve të Gores dhe Opojës gjatë vitit 1915 ishte në ballë të kryengritjes dhe tregoi gatishmërinë komanduese në Luginen e Koritnikut e në Hanin e Llopushnikut. Në etapën e pushtetit austrohungarez hapi shkollat shqipe legale në Gorë. Punoi për ruajtjen e traditave dhe kulturës shqiptare. Nga pushtuesit serbë vazhdohet me persekutimin e njerëzve të famshëm. Mes atyre edhe Nail Hysenin – Danën që konsiderohej Koka e Gorës. Pastaj arrestohet. Në burg i ofronin të holla, si dhe pozita të larta. Të jetë përfaqësues i Gorës dhe Opojës në parlamentin e Beogradit. Por ai nuk e pranoi ofertën, si rrjedhojë e mbytën në mënyrë mizore. Mulla Rasim Selman Zapodi, ishte nxënës i Ymer Prizrenit. Shërbeu si imam (hoxhë) në xhaminë e fshatit Lojme e Zapod, duke u dhënë mësim nxënësve të fshatrave Lojme dhe Nimçë. Mulla Rasimi, krijoi lidhje dhe marrëdhënie të mira me patriotët e krahinës së Lumës dhe të Gorës si me Hoxhë Mehmetin, Ramadan Cikun, Islam Spahinë, Ramadan Zaskocin, Ymer Sulën, Sulë Elezin, Xhafer Bislimin etj e deri te Elez Isufi i Dibrës. Merr pjesë në luftimet që do të zhvilloheshin në vitet 1900-1912, kundër pushtuesve osmanë dhe në vitet 1913-1923 kundër ushtrive pushtuese të shovinistëve serbomëdhenj që patën sulmuar si Lumën ashtu edhe Gorën, duke marrë pjesë aktive si prijës popullor në luftimet e zhvilluara në vitin 1913 në Malin e Koritnikut dhe në vitin 1914 në luftën e Zhurit kundër forcave serbe. Për shkak të aktivitetit pushtuesit serbë, deshën që ta largonin duke i premtuar postin e kryetarit të Komunës së Gorës dhe të Opojës, por ai i hodhi poshtë me përbuzje të madhe të gjitha ofertat që i kishin bërë krerët serbë. Si rrjedhojë u ndoq duke ia djegur dhe shkatërruar dy herë shtëpitë në Zapod. Dajlan Xhemë Basha nga Shishtaveci, luftoi me trimëri kundër serbëve dhe ra dëshmorë në luftën e Koritnikut më 20 shtator 1913. Murat Adem Murati nga Shishtaveci mori pjesë në luftën e Koritnikut duke ju bashkuar me vëllezërit e tjerë shqiptarë në luftën kundër serbëve. Plagoset rëndë dhe transportohet fshehurazi në shtëpi ku vdes pas disa ditësh nga plagët. Rrahman Ali Murati nga Shishtaveci, mori pjesë në luftën e Koritnikut ku ka vrarë disa ushtarë dhe oficerë serbë. Si rrjedhojë ai ndiqej nga qeveria serbe, duke ra dëshmorë në luftime të ashpra më 1918. Qamil Mehmet Beqa nga Shishtaveci. Përpos që me iniciativën e tij, përpilohet një dokument (kërkesë) me shkrim, drejtuar Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve. Qamil Beqa nuk e harroi faktin që ndodhi në fshat, kur po bëhej një dasmë në Shishtavec. Aty, erdhi i paftuar komandanti i postës serbe, i cili kur pa vajzat në valle tha: “Ja sakam jeno zhenko, bello i debella”. Përgjigja e kryeplakut të fshatit Qamil Beqa ka qenë: “Mos më thirrshin Qamil Beqa, po s’ta vendosa kufirin te thana”. Maksut Rexhep Fetishi nga Shishtaveci. Pjestar i LNC, inkuadrohet drejtpërdrejt në formacionet e Brigadës së Parë Sulmuese në batalionin e pestë, duke luftuar heroikisht në çlirimin e Tiranës dhe pranë Burgut të ri në përleshje me armikun ra dëshmor. Ibrahim Shahin Lleshi nga Shishtaveci, u inkuadrua në radhët e njësive të Brigadës 24 Sulmuese për kompaninë e parë të batalionit të tretë. Pjesëmarrës në betejën e ashpër për çlirimin e Tiranës dhe rrethinave të saj. Në luftën e Bërdicës në Shkodër dhe në Malësinë e Madhe, plagoset dhe nga plagët pas disa dite vdes. Fetish Asllan Beqa nga Shishtaveci, u inkuadrua në Brigadën e 24-të Sulmuese, si korrier i batalionit të 3-të. Mori pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës, të Shkodrës dhe vijoi luftimet bashkë me shokët në Malësinë e Madhe, Tropojë e deri në Gjakovë, ku pas luftës bie dëshmor në rrethin e Permetit. Ymer Mata është vëllai i Qemal Matës nga Zapodi. Si 17 vjeç me 15 bashkëfshatarët e tij u radhit në LNÇ në brigadën e 24 sulmuese dhe bie dëshmor. Xhafer Ollomomani nga fshati Borje si 23 vjeç, dha jetën për liri duke ju bashkuar veprimtarisë antifashiste. Pastaj 56 të rinj nga Shishtaveci u rreshtuan në formacionet e ndryshme luftarake për të ndihmuar Luftën Nacionalçlirimtare.
Vrasjet e popullates gorane gjatë luftës së fundit
Kësi soji, Shishtaveci, nuk mund ti harroj se si serbët më 1913 i mblodhën të gjithë burrat, gjoja për dhënien e pasaportave dhe pasi i lidhën me brezat e tyre dhe me litarë, i vendosën për t’i pushkatuar para xhamisë së fshatit. Protesta e grave dhe fëmijëve, që tok me burrat u vendosën para skuadrave të pushkatimit të serbëve, me thirrjet e tyre “na pushkatoni edhe ne”, “s’na duhet jeta pa burrat dhe prindërit tanë”. Ngjarje tronditëse pasuan edhe gjatë viteve 1997-1998, kur serbët rrahën për vdekje në doganën e Morinit, Shemsi T Meçkën, nga fshati Pakisht dhe Zaim Hoxhën po nga ky fshat, ku në këtë kohë e vranë një të ri pakishtas, një djalë nga fshati Novosej dhe dy të tjerë nga Shishtaveci ngelën te plagosur, Ilmi Haxhiun e Irfan Sokolin. Më 10 Qershor 1998, serbët vranë dhe masakruan dy banorë të Shishtavecit, babë e bir, Muhedin dhe Jordan Pashain, të cilët po ktheheshin nga Maqedonia për në shtëpi. Kufomat e tyre u masakruan. Më 3 Gusht 1998, serbët vranë mizorisht 19 vjeçarin Selam Hoxhën në bjeshkën e Shishtavecit, për të vetmin faj se kishte shkuar për të mbledhur lule balsami për nevoja ekonomike. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, popullata e Gorës, në pjesën brenda kufirit politik të shtetit shqiptar pati mundësinë që të ndihmojë popullatën e shpërngulur nga Kosova, e veçmas nga Opoja. Kjo popullatë e bashkëndjeu dhembjen me popullatën e Opojës. Kurse popullata e Gorës në pjesën e Kosovës, nuk e kishte këtë mundësi për arsye të njohura. Madje, shumë të rinj të këtyre fshatrave pushteti serb i mobilizoi dhunshëm, për t’i përdurur ata si mish për top në konfrontim me UÇK-në dhe Forcat e NATO-s. Sigurisht se asnjë nga të mobilizuarit dhunshëm, këtë nuk e ka bërë nga dëshira. Edhe kjo popullatë padyshim e ka ndjerë dhembjen e shqiptarëve në shpirt, dhe në këtë rast goranët në Kosovë kanë mundur që ti shmangen mobilizimit të dhunshëm po aq sa opojanët kanë mundur ti shmangen shpërnguljes së dhunshme. Kosova është pjesë e të gjithëve. Edhe Gora, andej e këndej kufirit.
Nga : Bedri HALIMI