Lajme

Shishtavecasi Beqir Idrizi (Beqir Aga) – njeriu që la gjurmë në jetë

By Fshati Shishtavec

July 26, 2022

Shishtavecasi Beqir Idrizi (Beqir Aga) – njeriu që la gjurmë në jetë

Vitet kalojnë dhe ndërsa jeta vazhdon rrjedhën e saj, kujtesa njerëzore arkivon personazhe, ngjarje e histori të jetuara dhe të dëgjuara.

Me kalimin e kohës disa nga ngjarjet zbehen dhe disa nga njerëzit harrohen, ashtu siç ka dhe njerëz që emri i tyre vjen ndër breza. Dhe Beqir Idrizi i shishtavecit bënë pjesë te njerëzit që nuk ju nënshtrua kurrë proçesit të harresës, por jeton në kujtesën e bashkëfshatarëve dhe bashkëkrahinarëve të vet. Emri i tij, ndoshta është emri që është përdorur më shumë dhe kjo si rezultat i asaj që ai la në shërbim të njerzëve.

Në qendër të Shishtavecit ngrihet një godinë e madhe dykatëshe që disa e quajnë “Hoteli i Beqir Agës” disa “Klubi i Beqir Idrizit”. Sipas një bisede me Mehmet Sokolin kjo ndërtesë është mbi 100 vjeçare dhe ishte në bashkëpronësi mes Beqir Idrizit i cili kishte katin e parë dhe Mevlan Sul Sokolit që zotëronte katin e dytë. Ishte koha kur në shumë qytete të shqipërisë mbizotronin “Bujtinat” ose ”Hanet” ndërsa shishtaveci kishte hotelin e tij, tregues kjo i kulturës dhe zhvillimit të këtij fshati. Në katin e parë të saj në cepin e djathtë ndodhej një dhomë që shërbente për pritje ku behej dhe regjistrimi i njerzëve. Në mes ishte lokali që shërbente si bar-bufe dhe menxa, ndërsa në cepin e majtë ndodhej guzhina. Kati i dytë shërbente si hotel ku ishin dhomat e fjetjes. Në këtë hotel flinin udhëtarët që lëviznin në rrugën Dibër-Prizren.

Me ardhjen në pushtet të komunistëve godina u shtetëzua dhe u përdor për qëllimet e tyre. Ish recepsioni u kthye në Postë-Telegrafë ndërsa lokali dhe guzhina vazhduan funksionin si më parë. Kati i dytë u kthye në zyra të pushtetit vendor. Aty ndodhej zyra e kryetarit të lokalitetit Myrtezan Çeliku, zyra e gjendjes civile me nëpunës Xhelal Beqën ku më vonë do të shquhej Zenepe Çeliku dhe zyra e grumbullimit të taks-tatimeve. Ne vitin 1952 u bë riorganizimi administrativ dhe Shishtaveci u caktua qendra e lokalitetit ku kishte në vartësi 10 fshatra. Pavarsishtë shtetëzimit të ndërtesës, Beqir Idrizi përveçëse fitoi adhurimin e njerëzve, ka lënë dhe emrin e tij duke u identifikuar përjetësisht. Gjatë viteve të monizmit shumë personazhe u lanë në harresë. Një ndër ta dhe Beqir Idrizi i cili përveçëse një tregtar i zoti ishte dhe një atdhetar i shquar. Emrin e tij e gjejmë në dokumentat e kohës si patriot dhe njeri me peshë në evente historike. Pas largimit te austriakëve në vitin 1918 krahina e Lumës dhe Gorës mbetën nën pushtimin serb. Periudhë që zgjati deri në dhjetor 1921. Kohë kur Beqir Idrizi, Ibrahim Sallahu e shokë të tjerë protestojnë dhe kërkojnë që serbia të shkoj në kufijtë e vitit 1913.

Për të rritur ndjenjën e atdhedashurisë dhe patriotizmit me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë mbreti Zog organizoi një kremtim madhështor që zgjati tre dite nga 25-28 nëntor 1937. Emri i Beqir Idrizit është në listën e delegatëve të zgjedhur të prefekturës së Kosovës për të përfaqësuar komunën e Shishtavecit.

Emrin e këtij burri të shquar si atdhetar e gjejmë dhe në kujtimet e Spiro Kosovës si nënprefekt i Lumes me qendër në Bicaj. Në fq 124-140 ndërmjet të tjerash shkruhet. “Me 31 gusht 1940 u nisa nga Bicaj për të vënë rend e qetësi në zonën e Dragashit pasi ishin ankuar se një çetë grabitësish po terrorizonte popullin. Në Novosej na priti Islam Hoxha i cili tha:- Jam i gatshëm të vij me ju pasi njoh vendin dhe shumë persona të asaj ane. Kryetari komunës Shishtavec mulla Osmani me shumë burra kishte dalë të priste. U futëm në zyrë ku kryetari s’bashku me Islam Hoxhën më thanë që është mirë të thirrim dhe tregtarin Beqir Idrizi pasi është burrë i ndershëm, me shumë influencë dhe i besuar në popull. Sapo erdhi Beqir Shishtaveci propozoi të njoftohej populli asaj ane për ardhjen tonë dhe u shkruajti në turqisht hoxhës Glloboçices, të Vranishtit dhe myftarit të Dragashit që të njoftonin popullin se nënprefekti i lumës me një fuqi ushtarake po niset për në Dragashë. Populli i i madh e i vogël kishte dalë me flamurin shqiptar dhe na priti plot entuziazëm duke thirrur “Rroftë qeveria shqiptare- zhivio allbanska vllada”. Beqir Idrizi dhe Islam Hoxha propozuan për ngritjen e një këshilli ekzekutiv për rrethin e Dragashit me katër përfaqësues. Për komunën e Dragashit Eshref Pllajnikun, për komunën e Opojës Din Plavën ,për komunën e Brodit Abedin Qehajën dhe për komunën e Krushes Eshref Gaziun (i biri mulla Arifit). Personat e lart përmendur nuk i njihja por Islami dhe Beqiri me dhanë fjalën dhe garantonin se mbanin përgjegjësi për çdo gjë . Këtë këshillë e prezantova para popullit bashkë me kopetencat që kishin. Këtu u binda plotësishtë për peshën e këtyre burrave pasi propozimet e bëra u pëlqyen nga populli dhe komisioni mori detyren.”

Duke qenë se shishtaveci ishte qendra administrative e zones ne vitet ’80 u ngrit hoteli i ri dhe godinat e kompleksit tregtar por prapë emri i Beqir Idrizit përmendej gjithmonë. Pyetja ku e pijmë kafen apo ku drekojmë- kishte dy alternativa; -Te lokali tregëtisë apo te lokali Beqir Agës. Ndërsa pyetja ku janë zyrat e pushtetit dhe gjendja civile kishte vetëm një përgjigje: -Te hoteli Beqir Ages. Ndaj emri i këtij burri mbeti në memorjen e kohës.

Dhe sot kjo godinë pavarsishtë amortizimit nga përdorimi dhe nga erozionet e kohës qëndron aty duke ruajtur brenda saj ngjarje e dëshmi të shumta në tre sistemet që kaloi shoqeria jonë.

Beqir Idrizi ishte i martuar me Hedijen motrën e vallëtarit të talentuar Veli Bela. Atyre nuk ju buzëqeshi fati që të kenë fëmijë. U nda nga jeta në vitet ’50 por kjo ndërtesë dhe aktiviteti i tij tregtar dhe atdhetar e sjellin atë me nderim dhe në ditët e sotme.

Kjo godinë është një pjesë e rëndësishme e historisë shishtavecit dhe gjithë zonës. Ajo duhet restauruar dhe kthyer në një atraksion turistik.

Për vetë pozicionin që ka dhe vlerat që mbart shumë mirë mund të kthehet në një muze historik dhe etnokulturor.

Shishtaveci është në projektin e 100 fshatrave turistik. Eshtë detyrë e ministrisë së turizmit që posedon këta fonde dhe e pushtetit vendor të hartojnë planin e restaurimit të saj. Në të kundërt shishtavecarët si gjithënjë do të dinë ta ruajnë krenarinë dhe mbrojnë historinë e tyre

Emri i Beqir Idrizit ruhet në kujtesën e njerzëve duke i bërë ata të meditojnë jo vetëm mbi jetën por edhe për vdekjen dhe përtej vdekjes.

Nga Gani Dalipi