SHISHTAVECASIT NË LUFTËN PËR ÇLIRIMIN E VENDIT GJATË LNÇ-së



Në mëngjesin e 7 prillit 1939, trupat fashiste italiane që arrinin në 35-40 mijë ushtarë të drejtuara nga gjeneral A. Guxoni, ndërmorën sulmin kundër vendit tonë. Mbreti Zog në vend të qëndresës, zgjodhi arratisjen nga Shqipëria bashkë me oborrin e tij mbretëror. Ushtria shqiptare u gjend e paralizuar. Populli nuk kishte armë me gjithë kërkesat e tij të vazhdueshme për armatim. E vetmja qëndresë që iu bë ushtrisë italiane ishte në Durrës, nga një grup patriotësh shqiptarë, që u bënë dëshmorët e parë të luftës kundër pushtuesit me në krye Mujo Ulqinakun. Më 12 prill, Italianët i dhanë fund pushtimit të vendit. Edhe në Shishtavecin e largët, u mor vesh pushtimi i Shqipërisë. Populli dhe veçanërisht të rinjtë e fshatit, dolën në rrugë dhe kërkuan armë për t’i dalë zot atdheut.
Thirrjet ishin “Duçe-kuqe” “Duçe-qen”. Madje, kishte edhe nga ata që shfaqën dëshirën për të marshuar në Tiranë e Durrës dhe për t’u përfshirë në luftë kundër pushtuesit italian. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme, askush nuk i dha armë popullit. Shishtavecarët, jo vetëm përjetuan pushtimin shumë të hidhur, por e përjetuan të hidhur edhe tradhtinë e mbretit.
Në Shishtavec, pushtuesit italianë, erdhën në vitin 1942. Ata ishin rreth 15 ushtarë që erdhën në këmbë nga rruga e Vanave në Topojan e në fund në Shishtavec. Transportin e municionit e bënë me mushka, duke u dislokuar në qendër të fshatit. Gjatë periudhës së dimrit ata përdornin ski, që i kishin sjellë nga Italia. Para ardhjes së tyre në fshatin Shishtavec e Novosej, kishte ardhur një major i quajtur Anxhelo Antiko. Ai erdhi fillimisht në Bicaj në vitin 1935, për të bërë rekrutime në partinë fashiste italiane. Në Shishtavec nuk arriti të rekrutonte asnjë në partinë e tij.
Populli i Shishtavecit, ashtu si gjithë populli shqiptar, nuk i respektonte ushtarët italianë, sepse ata ishin pushtuesit e vendit. Ushtarët italianë kanë qëndruar në Shishtavec derisa kapitulloi Italia fashiste në shtator të vitit 1943. Për aq sa kanë qëndruar, ushtarët qëndruan në lokalin e Beshir Idriz Sokolit, në katin e dytë për fjetje dhe në katin e pare për të ngrënë. Banorët e fshatit, që e mbajnë mirë mend atë kohë thonë se ushtarët italianë ishin me moral të dobët, madje gratë e fshatit hezitonin të mbushnin ujë në krua për shkak të ushtarëve italianë.
Më 8 shtator 1943 u shpall kapitullimi i Italisë fashiste dhe vendin e saj e zuri një pushtues i ri, Gjermania naziste. Pushtuesi gjerman, në gjithë vendin u prit me luftë. Edhe në Gorë e Shishtavec, filluan qëndresat e para. Shpesh lajmet për luftën i sillnin kurbetçinjtë të cilët punonin në disa qytete të Shqipërisë, si në Përmet bie fjala, ku zjarri i luftës kishte qenë më i madh, në Fier, Tiranë, Durrës etj.
Në vitin 1942, në fshat erdhën idetë komuniste nga Hamit Murga, që punonte në Prishtinë dhe nga Myrtezan Çeliku, i cili punonte në Gjirokastër. Këto ide kishin të bënin me luftën për çlirimin e vendit, kishin të bënin me bashkëpunimin me partizanët dhe përkrahjen maksimale të kësaj lufte çlirimtare. Në vitin 1943, kur vendi ishte i pushtuar nga ushtritë fashiste dhe vendi qeverisej nga një qeveri kuislingë, në zonën e Lumës dhe të Gorës erdhën mercenarët dhe bashibozukët nga Malësia e Madhe e Shkodrës, Pashuk Biba dhe Gjon Fusha. Qëllimi i ardhjes së tyre ishte nënshtrimi i popullsisë, grumbullimi i armëve dhe plaçkitja e banorëve. Pashuk Biba përdori dhunën kundër popullsisë vendase dhe pasi nuk mundi t’i realizojë qëllimet e veta, u largua i turpëruar, duke mbledhur disa armë të vjetra dhe pa vlerë. Në Shishtavec mercenarët terrorizuan familjen e Jashar Kingjit, e lidhën djalin – Bajramin dhe e mbajtën peng për 12 orë. Pasi u strehuan dhunshëm në shtëpinë e tij, therën një dele dhe në mëngjes liruan djalin e penguar vetëm me ndërhyrjen e kryetarit të komunës dhe kryeplakut të fshatit.
Duhet theksuar se shishtavecarët u orientuan drejt që në fillim në përkrahje të luftës kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit dhe në asnjë rast nuk kanë bashkëpunuar me pushtuesin. Këtë e vërteton fakti se, asnjë shishtavecar nuk u regjistrua në Partinë Fashiste, as nuk shërbeu në qeverinë kuislingë të kohës së luftës. Populli i Shishtavercit siç e ka vërtetuar edhe koha, ka qenë për progresin dhe asnjëherë nuk ka qenë pengesë e kësaj lufte, pasi bëhej fjalë për një luftë çlirimtare, një luftë e drejtë dhe e pakompromis me okupatorin. Me ardhjen e pushtuesve në vendin tonë, u vendos edhe reprezalja dhe internimet ndaj komunistëve dhe luftëtarëve të vendosur. Kështu, për pasojë internuan djaloshin Mehmet Ejup Gorani nga Shishtaveci, i cili punonte në Prizren. Ai u dërgua në kampin famëkeq të Mathauzenit. Ai shpëtoi nga vdekja, pasi babai i tij, Ejupi, tregtar në Prizren u dorëzoi gjermanëve një pasuri kolosale.
Po ashtu, gjermanët arrestuan dhe internuan në kampin famëkeq të Prishtinës, Hamit Shuaip Murgën, i cili mundi të mbijetojë dhe t’i shpëtojë vdekjes.
Në zonën e Shishtavecit, kanë vepruar partizanët e Brigadës së Pestë Sulmuese, partizanë të brigadës maqedonase dhe të Çetës së Lumës dhe në vonë edhe të Brigadës së 24-të Sulmuese të Kukësit.
Populli i gjithë krahinës së Gorës dhe në mënyrë të veçantë ai i Shishtavecit, i ka pritur dhe strehuar të gjithë partizanët që erdhën në fshat, duke u bërë kështu një bazë e fortë e luftës partizane. Partizanët e Brigadës së Pestë Sulmuese (dy batalione), luftonin kundër forcave të Muharrem Bajraktarit dhe veglave të tij, ndërsa ato të brigadës maqedonase kishin për detyre të asgjësonin trupat gjermane dhe eksese (SS) që mund të vinin nga Dragashi për në Shishtavec. Qendra e shtabit të Brigadës së Pestë, ka qenë në fshatin Kolesjan, por një pjesë e tij është strehuar edhe në Shishtavec në shtëpinë e Beshir Agës. Vetë komandanti i Brigadës Shefqet Peçi, Manush Miftiu, Hito Çako, Kadri Hazbiu, Ethem Gjinushi (Goliku), Halim Xhelo etj, ishin strehuar në Shishtavec. Në këtë terren, deri në Buzëmadhe-Turaj-Topojan, kanë vepruar dy batalione të brigadës së 5-të; batalioni i parë, me komisar Kadri Hazbiun dhe batalioni i tretë me komandant Hysen Çinon (Hero i Popullit), i cili u vra te Kroi i Bardhë nga forcat mercenare, më 22 shtator 1944 bashkë me tre partizanë të tjerë të këtij batalioni.
Gjeneral-major Halim Xhelo, në ditarin e vet “860 ditë luftë” botuar në Tiranë në vitin 1960 kujton: (fotokopje e ditarit). Kujtime të kësaj natyre, kanë shkruar edhe Shefqet Peçi dhe Kadri Hazbiu për aktivitetin e brigadave partizane në Shishtavec.
Shefqet Peçi ndër të tjera kujton: “Ne u strehuam në shtëpinë e Beshir Idrizit. Beshiri ishte një burrë me trup mesatar dhe me autoritet në fshat dhe në familje. Njeri i shëtitur, me kulturë dhe i mençur”. Ndërsa, nipi i Beshir Agës, Sulejman Hasan Sokoli, 72vjeç, kujton se gjyshi i tij Beshir Aga, i ka thënë në shtëpinë e tij Shefqet Peçit se: “Muharrem Bajraktari është një ushtarak i fortë, por nuk ka përkrahje nga populli. Paria e Shishtavecit, nuk pranoi që të shkonte në mbledhjen e organizuar nga ai në Krua të Bardhë. Ai sillet nga këto anë me një radio të prishur, i shoqëruar nga disa njerëz besnikë të tij dhe do t’i gënjejë njerëzit, duke u thënë se më këtë radio merrem vesh me inglizin. Po askush nuk i beson dhe përfundimisht ai nuk do të fitojë. Ju partizanët jeni trima. Keni ardhur nga ana e anës dhe luftoni për këtë popull. Njerëzit flasin mirë për ju dhe kanë respekt. Ju jeni shumë të organizuar dhe keni përkrahjen e popullit. Unë nuk e njoh atë të madhin tuaj, por kam dëgjuar për zotërinë e tij. Kur ta takosh t’i thuash se lidhjet me serbët do ta prishin. Serbin ne e kemi komshi, por gjithmonë ia kemi parë sherrin dhe kam frikën e madhe se edhe juve do t’u prishi shumë punë”.
Më datën 26 shtator 1944, u bë zgjedhja e këshillit nacionalçlirimtar për fshatin e Shishtavecit, me kryetar Mehmet Ukë Beqën dhe antarë Aliman Seferin, Jakup Ukën, Dilber Harunin, Ziqir Ismailin, Enver Shahin Haxhiun, Myrtezan Çelikun dhe në kryesinë e këshillit nacionalçlirimtar, bënin pjesë edhe Maliq Kola nga Kollovozi, Nuhi Kërxhaliu nga Bicaj, Hamit Murga nga Shishtaveci, Safet Dokle nga Borja dhe Avdi Xhaferi nga Novosej.
Po në këtë datë, në klubin e fshatit, u mblodh rinia ku zgjodhën një sekretar rinie dhe një aktiv rinie mjaft të mirë, të gjallë e luftarak. Sekretar rinie u zgjodh Mehmet Kareman Çaka.
Theksojmë se gjatë veprimeve luftarake të brigadës së pestë, mbetën të vrarë disa partizanë, janë plagosur një numër prej tyre, të cilët janë strehuar në shtëpitë e banorëve të fshatit Shishtavec, Turaj dhe Novosej, por kjo brigadë në shenjë hakmarrje për partizanët e vrarë dhe keqtrajtimin që u bënë ndaj partizanëve të plagosur e të sëmurë, u pushkatuan 26 vetë në Buzëmadhe, në mesin e tyre edhe fshatarë të pafajshëm, si dhe katër veta në fshatin Novosej. Gjithashtu në Shishtavec, pati edhe një viktimë, u vra fshatari Jusuf Ismaili, në një natë të errët në dritaren e shtëpisë së tij. Vrasja e tij ngeli enigmë deri në fund të luftës.
Më 4 tetor 1944, në Bicaj të Kukësit, u formua Brigada e 24-të sulmuese me bijtë më të mirë të krahinave të rrethit të Kukësit, me 560 partizanë të ndarë në katër batalione me komandant Ndreko Rinon dhe komisar Abedin Shehun, zëvendëskomandant ishte Niazi Hoxha.
Po në muajin tetor të këtij viti, intensiteti i luftës partizane kundër armikut, u bë edhe më i madh. Në kohën kur në Shishtavec dhe në tërë zonën e Gorës ndodheshin partizanët e brigadës së pestë dhe asaj maqedonase (exhuros), një kompani gjermane që kishte shumë SS marshon nga Dragashi e armatosur me armë të rënda (topa e mortaja) dhe pasi kalon fshatin Glloboçicë, i afrohet fshatit Shishtavec në një largësi deri 1200 metra. Qëllimi i gjermanëve ishte të digjte shtëpitë, ashtu si në Glloboçicë dhe të asgjësonin partizanët që ndodheshin në këtë zonë. Një korrier vjen dhe njofton në fshat. Një batalion partizan i brigadës së 5-të dhe një batalion i brigadës partizane maqedonase, me shpejtësi zë frontin në vijën Birje-Guri i Shqipes-Lisi i Hysenit dhe Kamenicë-Guri i Mëngjesit. Pas një luftimi të ashpër dhe të shkurtër, kompania gjermane u shpartallua. U zunë rob dy oficerë gjermanë dhe disa ushtarë. Oficerët u dënuan dhe u pushkatuan në Kukës. Batalioni partizan i brigadës së 5-të sulmuese, ka zënë pozicionin nga Guri i Shqipes dhe në pjesën e territorit të fshatit Borje, ndërsa batalioni i brigadës maqedonase ishte pozicionuar nga guri i Shqipes deri në Gurin e Mëngjesit. Partizanët e brigadës së 5-të sulmuan trupat gjermane nga prapa krahëve në fshatin Glloboçicë dhe i shpartalluan, ku mbetën të vrarë katër ushtarë gjermanë dhe u zunë rob dy oficerë, të cilët u pushkatuan në Kukës. Në Shishtavec, kanë vepruar edhe forcat partizane të brigadës së Kosovës me komandantë Fadil Hoxhën dhe Xhavit Nimanin.
Në librin “Brigadë e flakës, e zjarrit, e luftës dhe sulmit” thuhet: “Me marrjen e urdhrit të Komandës së Përgjithshme të UNÇL, natën e 4-5 tetorit, batalionet e brigadës së 5-të sulmuese, kaluan kufirin për në Kosovë afër Shishtavecit dhe shkatërruan trupat gjermano-mercenare në Glloboçicë e Dragash, duke zënë rob gjithë shtabin gjerman që komandonte këto forca”. (Arkivi i Muzeut Lokal Kukës).
Kështu Shishtaveci, mbeti i pashkelur nga trupat gjermane falë mbrojtjes, që i bënë partizanët që ndodheshin në këtë zonë.
Krijimi i brigadës së 24-të sulmuese, bëri që nga fshati Shishtavec të inkuadrohen mbi 50 partizanë dhe të marrin pjesë në operacionet luftarake në kuadër të kësaj brigade. Madje, nga Shishtaveci kishte partizanë dhe në çeta e brigada tjera në vend.
Partizanët që u rreshtuan në formacionet e ndryshme luftarake dhe komandën e vendit, që dolën vullnetarisht për të ndihmuar Luftën Nacionalçlirimtare kanë qenë:
1. Maksur Rexhep Fetishi, Brigada e Parë Sulmuese, dëshmor i Atdheut
2. Ibrahim Shahin Lleshi, Brigada e 24-të, dëshmor i Atdheut
3. Fetish Asllan Beqa, Brigada e 24-të, dëshmor i Atdheut
4. Mevlan Ahmet Çeliku, Çeta Krujë-Ishëm
5. Rrahman Abdulla Basha, Çeta Krujë-Ishëm
6. Tosun Sherif Haxhiu, Çeta Krujë-Ishëm
7. Vajdin Abdirrahman Fetishi, Çeta Dajti Tiranë
8. Abdirrahman Feriz Beqa, Brigada e 24-të
9. Avdi Muharrem Basha, Brigada e 24-të
10. Adil Ziqir Basha, Brigada e 24-të
11. Asllan Myrtezan Bala, Brigada e 24-të
12. Selatin Mujdin Haxhiu, Brigada e 24-të
13. Muhedin Sefer Seferi, Brigada e 24-të
14. Jashar Asllan Beqa, Brigada e 24-të
15. Shaban Shaqir Ballabani, Brigada e 24-të
16. Sali Ibrahim Haxhiu, Brigada e 24-të
17. Gani Myrtezan Bala, Brigada e 24-të
18. Hamit Hafuz Murg,a Brigada e 24-të
19. Qemal Zaim Sokoli, Brigada e 24-të
20. Rexhep Myrtezan Pashaj, Brigada e 24-të
21. Dervish Shahin Haxhiu, Brigada e 24-të
22. Ismail Pepush Basha, Brigada e 24-të
23. Jakup Liman Lleshi, Brigada e 24-të
24. Shefqet Tahir Draga, Brigada e 24-të
25. Jashar Hazer Bala, Brigada e 24-të
26. Kadri Xheladin Bala, Brigada e 24-të
27. Ymer Ali Kallabaku, Brigada e 24-të
28. Halil Ali Kallabaku, Brigada e 24-të
29. Neshat Mustafa Bela, Brigada e 24-të
30. Rexhep Qamil Lleshi, Brigada e 24-të
31. Shehap Mustafa Bala, Brigada e 24-të
32. Murat bahtjar Duraku, Brigada e 24-të
33. Murat Sadik Shpata, Brigada e 24-të
34. Sulejman Ramadan Uka, Brigada e 24-të
35. Iliaz Arif Sokoli, Brigada e 24-të
36. Qemal Muhamet Haxhiu, Brigada e 24-të
37. Qemal Irfan Pashaj, Brigada e 24-të
38. Osman Musa Uka, Brigada e 24-të
39. Kareman Abaz Bala, Brigada e 24-të
40. Jusuf Islam Murati, Brigada e 24-të
41. Munish Mehmet Guja, Brigada e 24-të
42. Izet Nurish Bala, Brigada e 24-të
43. Nusret Myrtezan Hoxha, Brigada e 24-të
44. Neshat Shehap Bala, Brigada e 24-të
45. Arif Resil Kingji, Brigada e 24-të
46. Mehmet Kareman Çaka, Komanda e Vendit, Sekretar rinie
47. Jaho Musa Pashaj, komanda e vendit
48. Jaho Rizvan Ibaj, komanda e vendit
49. Zenun Fejzulla Basha, Brigada e 24-të
50. Enver Shahin Haxhiu, Bytyç-Tropojë
51. Qemal Mustafë Bala, Brigada e tretë
52. Qazim Jakup Shehu, Brigada e tretë
53. Ramadan Ismet Duraku,
54. Sefer Behar Hoxha,
55. Neshat Qamil Bela,
56. Hamdi Abdulla Hoxha,
Brigada e 24-të sulmuese e Kukësit, shkroi në altarin e nderit, si brenda dhe jashtë Atdheut 36 dëshmorë, ndërsa Kukësi u çlirua më 18 nëntor 1944. Çlirimi i Shkodrës, që shënoi edhe çlirimin e gjithë Shqipërisë u arrit më datën 29 nëntor 1944.
Shishtaveci si gjithë vendi, pësoi humbje të madhe në luftë. Ai i dha Atdheut tre dëshmorë lirie dhe një viktimë, si dhe humbje të mëdha në bujqësi dhe blegtori. Shishtaveci dha një ndihmesë të madhe, pasi strehoi dhe mbajti me bukë partizanë të dy brigadave (Brigadën e 5-të dhe brigadën maqedonase), duke dëshmuar, se qe i lidhur totalisht me luftën. Çdo shtëpi u bë bazë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe kështu populli e fitoi lirinë e shumëpritur. Lufta Nacionalçlirimtare ishte një luftë e drejtë çlirimtare, një revolucion popullor, i cili u organizua dhe u udhëhoq nga Fronti Nacionaçlirimtar dhe ideologjia kombëtare, si dhe nga idetë e çlirimit kombëtar. Ajo kishte si qëllim dëbimin e pushtuesve nga vendi. Çlirimin e atdheut, rivendosjen e pavarësisë së humbur kombëtare, si dhe ndërtimin e Shqipërisë së re demokratike. Për këtë luftuan dhe dhanë jetën bijtë më të mirë të popullit shqiptar.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar ishte pjesë përbërëse e Luftës Antifashiste Botërore. Shqipëria u radhit që në fillim në anën e koalicionit antifashist botëror, që kishte në ballë tri fuqitë e mëdha aleate Bashkimin Sovjetik, SHBA dhe Anglinë. Në përfundimin e luftës, vendi ynë u radhit me fitimtarët, përkrah aleatëve të mëdhenj dhe vendeve tjera pjesëtare të koalicionit antifashist, krenarë për ndihmesën e dhënë në kauzën e përbashkët të popujve për shkatërrimin e fashizmit.
Ja pse edhe populli i Gorës dhe Shishtavecit, u orientua drejt dhe dha kontributin e tij në këtë luftë.
Nga : Zenulla BALA

FB_IMG_1694518811140
Zenulla BALA